Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin me mbështetjen e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë çeli “Javën e Administratës Publike 2024: Modernizimi në veprim”.

Në ceremoninë e hapjes së panairit ishin të pranishëm Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës Znj.Giulia Re, zyrtarë e funksionarë nga ministritë etj.

Panairi i Administratës Publike” hap siparin e javës së Administratës Publike për të celebruar shërbimin civil si një nga shtyllat e vendit si dhe nderon të gjithë ata që kontribuojnë përditë me punën e tyre në administratën publike si arkitektët e vërtetë të progresit dhe zhvillimit të vendit.

Eventi i parë i organizuar në kuadër të kësaj jave “Panairi i Administratës Publike” synon të ofrojë një pikëtakimi për prezantimin e vendeve të reja të punës, projekteve dhe shërbimeve që administrata publike po ofron për qytetarët, me pjesëmarrjen e gjerë të ministrive.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes së panairit u shpreh se administrata shqiptare po rienergjizohet për t’i shërbyer vizionit të Shqipërisë 2030.

“Ne duam të jemi me ju, prandaj kemi sjellë në shesh administratën Publike. Kështu krijojmë më tepër bashkëveprim jo vetëm me të gjithë qytetarët por edhe më ata të rinj të cilët duan t’i bashkohen administratës publike shqiptare. Motorët e vërtetë të këtij zhvillimi janë të gjithë ata zyrtarë e zyrtare publikë, të cilët në përditshëmrinë e tyre i shërbejnë këtij funksioni por gjithashtu me shumë pasion dhe profesionalizëm kontribuojnë çdo ditë në progresin e vendit. Ky panair është një festë e përbashkët dhe një mundësi shumë e mirë për të njohur punën tonë të përditshme në administratën publike, por gjithashtu dhe për tu angazhuar qoftë edhe drejtëpërdrejtë duke u punësuar në administratën publike, qoftë duke u angazhuar në nismat tona të përbashkëta.

Ne besojmë fuqimisht që momenti i rienergjizimit të administratës publike për t’i shërbyer thelbësisht funksionit publik, në fakt është tani. Pikërisht në këtë fazë jetike të zhvillimit të vendit dhe për t’i shërbyer më së miri vizionit të Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian,” tha ministrja Pirdeni.

Për herë të parë ministritë dhe institucionet u bënë bashkë në një panair unik për të dhënë impakt maksimal tek publiku.
Gjatë panairit u prezantua puna e institucioneve duke përcjellë imazhin e një administrate që po transformohet dhe po modernizohet.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, njoftoi se në kuadër të “Javës së Administratës Publike 2024” janë planifikuar të organizohen një serë aktivitetesh si: “Forumi i Inovacionit në sektorin publik dhe privat”, “Administrata shkon në Universitet”, “Punonjësi më i mirë i ministrisë”, “Turneu i Volejbollit” si dhe eventi që përmbyll javën e Administratës “Merr fëmijën në punë”.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës Znj.Giulia Re ku theksoi mbështetjen e zyrës që drejton për vendin tonë.

“Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për të rritur efektivitetin dhe transparencën e administrates publike dhe Këshilli i Evropës ka qenë dhe do vijojë të jetë një partner i qëndrueshem në këto reforma duke ofruar ekspertizë, rekomandime dhe mbështetje,” tha Giulia Re, shefe e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë,” tha shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës Znj.Giulia Re.
Panairi i Administratës Publike u organizua në datat 27, 28 dhe 29 maj në sheshin “Italia” në Tiranë. Gjatë ditëve të panairit, ministritë pjesëmarrëse organizuan forume të larmishme me tematika të ndryshme.