Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) në bashkëpunim me Agjencinë për Media dhe Informim (MIA), organizuan një takim informues me një grup studentësh degës Shkenca Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT.
Aktiviteti u organizua në kuadër të një “Open Day” për të diskutuar nga afër mbi sfidat dhe përparësitë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Diskutimi u fokusua në momentumin e rëndësishëm që Shqipëria ka drejt sfidës historike të aderimit në BE brenda kësaj dekade.
Gjatë fjalës së saj, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, prezantoi agjendën ambicioze të qeverisë shqiptare për mbylljen e negociatave teknike deri në vitin 2027, duke theksuar se procesi i përafrimit me legjislacionin evropian po ecën me ritme të shpejta.
Më tej ministrja theksoi rëndësinë e grup-kapitullit të parë të negociatave me Bashkimin Evropian “Themelorët”, i cili përfshin shtetin e së drejtës, reformën në administratën publike, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve teksa foli edhe për procesin në tërësi të negociatave ku vendi ynë ka hapur tre grup-kapituj me Bashkimin Evropian brenda 7 muajve.
Studentët u përfshinë aktivisht në diskutim, duke ngritur pyetje mbi aderimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sakaq, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim Z.Alteo Hysi theksoi rëndësinë që ka komunikimi efektiv institucional për t’i sjellë qytetarëve informacion të saktë dhe të kuptueshëm mbi hapat që Shqipëria po hedh në rrugën drejt Bashkimit Evropian.