Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në Bruksel u zhvillua Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, e thirrur me ftesë të Presidencës daneze të BE-së. Konferenca ishte e përqendruar tek grup-kapitulli IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni ishte pjesë e delegacionit shqiptar që kryesohej nga Kryeministri Z. Edi Rama, me prezencën e Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatores Znj. Majlinda Dhuka, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës.
Shqipëria hedh kështu një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, pasi këta 4 kapituj u shtohen 24 kapitujve të negociatave për anëtarësim, që janë hapur në vetëm 11 muaj.
Grup-kapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Pas punimeve të konferencës së gjashtë ndërqeveritare BE-Shqipëri, kryeministri Rama zhvilloi konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Çështjeve Europiane të Danimarkës Marie Bjerre dhe komisioneren Europiane për Zgjerimin Marta Kos, ku u theksua se shpejtësia e Shqipërisë për integrimin në BE është mbresëlënëse.
Shqipëria ka çelur deri më tani 5 nga 6 grup-kapituj, të ashtuquajturin “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregun e Brendshëm”, “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse” dhe “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Konferenca e mbajtur në Bruksel shënon një tjetër moment të rëndësishëm për rrugëtimin integrues të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, e miratuar nga Unioni në vitin 2020.
Në vijim të vizitës në Bruksel, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni ishte pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kryeministri Rama, i cili zhvilloi takim në selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm, Z. Mark Rutte.