Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni mori pjesë në konferencën e Ambasadorëve shqiptarë nëpër botë “Diplo 2025”.
Konferenca me titull “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, u zhvillua në formën e paneleve me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Diskutimet u fokusuan në integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.
Ministrja Pirdeni ishte pjesë e panelit së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren, Znj. Majlinda Dhuka, dhe Z. Adrian Kamenica, Drejtor i Departamentit të Politikës dhe Informimit Evropian në Zyrën e Kryeministrit. Panelistwt shkëmbyen me ambasadorët e Shqipërisë në botë prioritetet për rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
“Diplo 2025” shërbeu si një pikë takimi e rëndësishme për shërbimin e jashtëm, me qëllim përcaktimin e prioriteteve, adresimin e sfidave kryesore dhe forcimin e shërbimit konsullor për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama i cili përshëndeti pjesëmarrësit tha në fjalën e tij se “Konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumë ëndërruar të Bashkimit Europian dhe pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë te ky objektiv historik”.