Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, zhvilloi një leksion të hapur me 32 studentët e Kolegjit të Evropës në kampusin e Tiranës, të ardhur nga 22 vende të ndryshme.

Takimi u fokusua në rrugëtimin e Shqipërisë për një shtet të së drejtës sipas standardeve të familjes evropiane ku Shqipëria aspiron të jetë shumë shpejt pjesë.

Leksioni i hapur u organizua në kuadër të lëndës “Konsolidimi Demokratik dhe Sundimi i Ligjit në Evropën Juglindore”.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, ministrja Pirdeni theksoi se Reforma në Drejtësi ka shënuar një pikë kthese të rëndësishme teksa ndau me studentët tre fazat kyçe të zhvillimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.

Studentët e Kolegjit të Evropës, të cilët vijnë nga kontekste të ndryshme akademike dhe profesionale, u angazhuan aktivisht në diskutim, duke drejtuar pyetje dhe perspektiva mbi sfidat e sundimit të ligjit në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Programet e studimit që ofron Kolegji i Evropës në kampusin e Tiranës janë me të njëjtat standarde si ato në Kolegjin e Brugge, duke siguruar një cilësi të lartë të mësimit dhe një mjedis të pasur multikulturor dhe ndërkombëtar për studentët.