Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministritë u mbushën me gumëzhimat e fëmijëve të punonjësve të administratës.

Administrata Publike mirëpriti fëmijët e punonjësve të saj në një ditë të mbushur me gjallëri entuziazëm dhe aktivitete argëtuese.
Eventi përmbyllës i “Javës së Administratës Publike” kishte për qëllim të afronte botën e punës së prindërve me fëmijët e tyre për të kuptuar se çfarë bëjnë konkretisht në pesë ditët e javës.

Punonjësit iu bashkuan iniciativës duke marrë fëmijët, mbesat, nipërit në ambientin e punës, për t’i kultivuar njohjen me punën si dhe për të afruar edhe më tej kolegët dhe koleget me njëri-tjetrin.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj.Adea Pirdeni inkurajoi gjatë javës së “Administratës Publike” punonjësit që të sillnin fëmijët në punë, duke krijuar një mundësi për të njohur nga afër angazhimet e përditshme të prindërve të tyre në zyrat e ministrive dhe Kryeministrisë në mesditën e së premtes.

Dita e hapur për fëmijët përfshinte një sërë aktivitetesh edukative dhe argëtuese të organizuara posaçërisht për ta nëpër institucione. Kjo ditë e hapur pritet të shndërrohet në një traditë të përvitshme në administratën publike, duke ofruar një mundësi të veçantë për të forcuar akoma më tej lidhjet midis familjes dhe punës.

Ministrja Pirdeni falenderon të gjithë koleget dhe kolegët që u bënë pjesë e nismës, dhe të gjitha institucionet që u përfshinë dhe treguan kaq shumë kreativitet në organizimin e kësaj dite të veçantë në administratë.