Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

“Një qeverisje me në qendër qytetarin, kombinuar me performancën dhe lidershipin janë elementët e nevojshëm për të rritur efikasitetin, performancën e përgjithshme dhe suksesin e administratës publike.
Ishte pikërisht ky fokusi i konferencës “Transformimi i Administratës Publike: Performancë, Lidership dhe Qytetarët në Qendër” organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe UNDP.
Në event morën pjesë Ministri i Shtetit për Administratën publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, Përfaqësuesja e Përhershme të UNDP-së në Shqipëri, Znj. Monica Merino, Drejtor i Zyrës Rajonale për Koordinimin e Bashkëpunimit Teknik, Z. David Muckenhuber, përfaqësues të qeverisë, partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertë.
Me kontribute nga përfaqësues të qeverisë dhe partnerë ndërkombëtarë, aktiviteti mbështeti ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të pritura për një administratë publike të rigjallëruar, në përputhje me standardet moderne të qeverisjes dhe që i përgjigjet nevojave të qytetarëve.
Eventi finalizoi projektin “Konsolidimi i Shërbimeve Publike me në Qendër Qytetarin në Shqipëri” (CSDA).
Në kuadër të projetktit CSDA, disa institucione publike aplikuan standardin ISO 9001 për menaxhimin e performancës së tyre në ofrimin e shërbimeve duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarin.
Duke përmendur “Programin e Zhvillimit të Lidershipit”, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni theksoi se po bëhen përpjekje maksimale për të ndërtuar një administratë të bazuar në meritokraci, integritet dhe aftësitë profesionale.
“Përmes trajnimeve të dedikuara për stafet ministrore, trajnimeve në bashkëpunim me ASPAn, dhe veçanërisht, Programi i Zhvillimit të Lidershipit, që është ende në vazhdim e sipër, ku qindra drejtues të administratës po trajnohen intensivisht për të nxitur transformim real dhe të prekshëm brenda ekipeve të administratës publike, po kontribuojnë në forcimin e frymës së bashkëpunimit brenda stafeve tona dhe të një kulturë bashkëkohore të të punuarit dhe të komunikuarit në ambientin e punës,” tha ministrja Pirdeni.
Më tej ministrja Pirdeni vlerësoi Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim dhe UNDP për mbështetjen që i kanë dhënë projektit CSDA.
“Një falenderim shkon për Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim, që së bashku me UNDP kanë ecur krah për krah në mbështetjen e projektit të CSDA. Padyshim, një falenderim shkon edhe për të gjithë kolegët që kanë mbështetur projektin si dhe Ministritë e linjës që kanë dhënë gjithashtu kontributin e tyre që ky projekt të mund të ketë vërtet impaktin për të cilin u krijua,” u shpreh ministrja Pirdeni.
Në një kohë kur roli i lidershipit në përmirësimin e shërbimeve publike është jetik për zhvillimin e një shoqërie moderne dhe transparente, ndarja e eksperiencës dhe përkushtimi për transformimin e administratës publike janë thelbësore.
Nën moderimin e Znj. Fotjona Taçe, Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, njëkohësisht Drejtor i projektit CSDA, Z. Erald Pashaj, Ekspert i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore & Performancës, Z. Indrit Puteci, ekspert i AIE në Lidership dhe Motivim si dhe Znj. Ermelinda Pema, Drejtor i Monitorimit të Programit të Transparencës pranë KDIMDP, u diskutua në një panel të vecantë tema: “Lidershipi si Pikënisje, me Qytetarët në Qendër – Rruga Drejt së Ardhmes”.
Gjatë panelit diskutimet u fokusuan në programet e zhvillimit të lidershipit, rezultatet e projektit pilot për objektivat kaskadë dhe vlerësimin e performancës, përvojat mbi adoptimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë në përputhje me ISO dhe përpjekjet për të nxitur një kulturë bashkëpunimi institucionale.