Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në kuadër të Javës së Integritetit 2025, u zhvillua aktiviteti lancues i Rrjetit të Koordinatorëve dhe Këshilltarëve të Etikës, një iniciativë e përbashkët e Departamentit të Administratës Publike, Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsion. Ky hap përfaqëson një moment të rëndësishëm në forcimin e integritetit dhe promovimin e kulturës etike në institucionet publike shqiptare.

Gjatë aktivitetit u prezantua Udhëzuesi për Koordinatorët dhe Këshilltarët e Etikës, i cili përmban rolin, mandatin, funksionet kryesore dhe instrumentet standarde të punës, si dhe format e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Udhëzuesi është hartuar nga ekspertët e IDM-së në kuadër të laboratorit të politikave dhe finalizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Integritetit, Mbikëqyrjes dhe Ankesave Administrative në DAP, duke siguruar një bazë të qëndrueshme për funksionimin e rrjetit kombëtar të etikës.

Ky rrjet synon të fuqizojë rolin parandalues dhe këshillues të koordinatorëve të etikës, duke standardizuar mekanizmat e raportimit dhe dokumentimit, si dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional mes DAP, MAPA dhe institucioneve të pavarura. Ai do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave, mbështetjen profesionale dhe promovimin e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të administratës qendrore dhe vendore, institucioneve të pavarura, njësive të menaxhimit të burimeve njerëzore, këshilltarë të etikës, partnerë ndërkombëtarë të zhvillimit, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky aktivitet zhvillohet gjithashtu në kuadër të projektit “WeBER 3.0 – Përmirësimi i Administratës Publike përmes Vlerësimit nga Shoqëria Civile”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së Suedisë në Tiranë, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar integritetin, transparencën dhe llogaridhënien në administratën publike shqiptare.