Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Kuvendi miratoi sot modelin e ri të organizimit dhe forcimit të llogaridhënies së institucioneve publike, një hap i rëndësishëm drejt afrimit të administratës shqiptare me standardet më të mira evropiane dhe përmbushjes së piketave mbyllëse të negociatave në fushën e Reformës në Administratën Publike.

Pas 14 vitesh zbatim, ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” sjellin një modernizim të thellë të administratës, me fokus te efikasiteti, transparenca dhe llogaridhënia.

Ndër risitë kryesore të reformës janë:

  • Vendosja e një sistemi të unifikuar për monitorimin e performancës në administratën shtetërore.
  • Riorganizimi i institucioneve joministrore në institucione varësie dhe agjenci autonome.
  • Forcimi i rolit të drejtorive të përgjithshme si niveli më i lartë i vendimmarrjes për proceset rutinore dhe menaxhimin e politikave publike.
  • Vendosja e rregullave të qarta për rekrutimin dhe largimin nga puna në institucionet që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët, përfshirë spitalet, shkollat dhe institucionet sociale.

Këto ndryshime e afrojnë administratën shqiptare me standardet evropiane dhe kontribuojnë në përmbushjen e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.