Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Me energjinë e të rinjve dhe zërin e ekipit që negocion të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, “Java e Administratës Publike 2025 – Edicioni i Dytë” vijoi me eventin “Në Zemër të Integrimit: Takim me Negociatorët”.
Në event morën pjesë Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, Ministri i Shtetit dhe Kryenegociator Znj, Majlinda Dhuka, Shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Andre Rizzo, ekipi negociatorë i Shqipërisë, nëpunës të administratës publike, studentë dhe përfaqësues të biznesit, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë nga afër sfidat, përvojat dhe prioritetet e Shqipërisë në tryezën e negociatave me BE-në.
Ky forum solli një bashkëbisedim të hapur, të gjallë dhe pa filtra mes studentëve, përfaqësuesve të biznesit dhe negociatorëve, duke nxitur reflektim dhe dialog rreth sfidave dhe mundësive që hap procesi i integrimit evropian, veçanërisht për brezin e ri.
Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e zhvillimit të aftësive profesionale për të rinjtë si një element kyç në përgatitjen e tyre për tregun europian të punës, mundësitë konkrete që sjell procesi i integrimit për gjeneratën e re në Shqipëri, si dhe rolin e dhomave të tregtisë dhe bashkëpunimit me sektorin privat në mbështetje të këtij transformimi.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni u shpreh se integrimi është një proces që kërkon bashkëpunim në të gjithë linjën, nga politikat, te arsimi, e deri te ekonomia, teksa shtoi se sot për të qenë pjese e tregut konkurrues evropian përgatitja e biznesit por edhe e të rinjve është urgjencë.
Forumi e nxorri procesin nga korniza teknike dhe institucionale dhe duke e paraqitur si një realitet konkret që prek përditshmërinë e çdo qytetari.
Sakaq pjesëmarrësit u njohën nga afër me anëtarët e ekipit negociator dhe rolin e tyre në këtë proces jetik për të ardhmen evropiane të vendit.
Ekipi negociator i Shqipërisë është një grup ekspertësh të nivelit të lartë, të përzgjedhur me kujdes të cilët përfaqësojnë vendin në bisedimet me Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së, duke mbrojtur interesat e Shqipërisë.
Të koordinuar nga Kryenegociatori Dhuka dhe Zv. Kryenegociatori Pirdeni, negociatorët punojnë në mënyrë të pandërprerë për të përgatitur administratën publike, institucionet dhe shoqërinë shqiptare për sfidat dhe përfitimet që sjell integrimi.