Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në kuadër të “Javës së Administratës Publike 2025 – Edicioni II”, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, organizoi një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e partnerëve ndërkombëtarë, për të shkëmbyer ide dhe për të thelluar bashkëpunimin në kuadër të Reformës në Administratën Publike.
Më pas, të ftuarit patën mundësinë të vizitonin ekspozitën “Udhëtim i Administratës Publike Ndër Vite”, një përzgjedhje e pasur dokumentesh dhe fotografish arkivore që reflektojnë transformimin e administratës nga vitet e para të shtetformimit e deri më sot.
Konceptuar si një retrospektivë edukative dhe dokumentare, ekspozita sjell për publikun një përzgjedhje të pasur dokumentesh zyrtare, fotografish arkivore dhe dëshmish historike, duke nxjerrë në pah rrugëtimin dhe transformimin e administrates publike në dekada.
Ekspozita “Udhëtim i Administratës Publike Ndër Vite” është një homazh për të gjithë ata që me përkushtim i kanë shërbyer shtetit shqiptar ndër vite, si dhe një burim frymëzimi për brezat e rinj, që ndjekin karrierën në shërbimin publik.
Ekspozita u realizua nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit, ATSH dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës.
Ekspozita “Udhëtimi i Administratës Publike ndër Vite” u hap për publikun edhe në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog COD, deri më 5 korrik.