Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Gjatë Javës së Integritetit 2025, u zhvillua aktiviteti i 30-vjetorit të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi progresin e arritur dhe sfidat e ardhshme në sistemin e prokurimit publik në Shqipëri. Ky përvjetor theksoi rëndësinë e modernizimit të sistemit, afrimit me standardet evropiane dhe forcimit të integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

Në aktivitet ministrja Pirdeni, në fjalën e saj nënvizoi rolin vendimtar të prokurimit publik për transparencën, llogaridhënien dhe përdorimin efikas të fondeve publike, si dhe rëndësinë e modernizimit të vazhdueshëm dhe profesionalizimit të stafit për përputhjen me standardet evropiane. Gjithashtu vuri në dukje përdorimin e sistemeve elektronike të prokurimit dhe të dhënave të hapura si një element kyç për rritjen e transparencës dhe efikasitetit të procedurave, si dhe rëndësinë e vlerësimit të riskut të korrupsionit dhe profesionalizimit të stafit për rezultate të qëndrueshme.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Botërore, organizata ndërkombëtare, përfaqësues të akademisë dhe shoqërisë civile, si dhe ekspertë të fushës së prokurimit publik, duke kontribuar në një diskutim të gjerë mbi zhvillimet dhe perspektivën e ardhshme të sistemit të prokurimit publik.

Në përmbyllje të aktivitetit, u dorëzuan dy çmime për dy nëpunës publikë që kanë arritur rezultate të larta në testimin e zhvilluar nga ASPA, të cilëve iu ofrua mundësia e përfitimit të një burse studimore për ndjekjen e programit master në prokurimin publik në Universitetin e Romës. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet EBRD, APP dhe OBP, për implementimin e kritereve mjedisore në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga OBP, u ofrua mundësia e ndjekjes së një programi internshipi pranë EBRD në Londër.

Ky 30-vjetor reflekton mbi arritjet e deritanishme dhe vendos bazën për një sistem modern, efikas dhe me integritet të lartë, që mbështet standardet europiane dhe besimin e qytetarëve në administratën publike.