Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratës Publike dhe Antikorrupsionit në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit organizuan “Forumi i Inovacionit: Punësimi në sektorin publik dhe privat”.

Forumi i organizuar në kuadër të “Javës së Administratës Publike” nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin bëri bashkë ministren Pirdeni, ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Z.Blendi Gonxhja, Z. Francisco Roquette, Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP Shqipëri, Z. Martin Schaller, Zëvendës Shef i Misionit të Austrisë në Shqipëri dhe aktorë të fushës së inovacionit në sektorin publik dhe në sektorin privat, të cilat diskutuan çështje të rëndësishme që ndërlidhen me zhvillimin dhe avancimin e këtij sektori në vendin tonë.

Në qendër të diskutimeve ishin hapat e ndërmarra deri më tani nga administrata dhe sektori privat në Shqipëri për të përqafuar inovacionin në tregun e punës, si instrument esencial në rritjen e efikasitetit, konkurrueshmërisë, por edhe transparencës.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni theksoi se sektori publik është konkurrent me sektorin privat për të tërhequr më të mirët e tregut.

“Digjitializimi, sot është një realitet i prekshëm i Administratës. Vitet e fundit kemi avancuar jashtëzakonisht në administratë sa i takon inovacionit dhe digjitalizimit, në mënyrën sesi ofrojmë shërbime tek qytetarët. Inovacioni nuk do të thotë vetëm përqafimi i teknologjisë, por duhet edhe një qasje e re sa i takon punësimit. Jam entuziaste sot që kemi pjesë të paneleve tona të diskutimit ekspertë shumë të mirë të tregut të punës në sektorin privat. Ne kemi nisur një iniciativë në fillim të këtij viti për të modernizuar aspekte të punësimit brenda sektorit publik. Ne mendojmë se përtej rritjes së pagave, që është faktor shumë i rëndësishëm, ka elementë të tjerë që e bëjnë punën më tërheqëse, ambientin e punës shumë më miqësor dhe për pasojë dhe më produktiv. Ne si sektor publik duam të tërheqim më të mirët në treg, pra jemi konkurrent me sektorin privat,” u shpreh ministrja Pirdeni gjatë fjalës.

Në panelet që u organizuan në këtë forum morën pjesë sipërmarrës, ekspertë inovacioni, kompani shqiptare që kanë në fokus Inteligjencën Artificiale, të cilët diskutuan për krijimin e mundësive për t’i dhënë një dimension dhe realitet të ri inovacionit në vend.
Të ndarë në dy panele, folësit ndanë përvojat e tyre transformuese dhe përcollën eksperiencën e tyre në lidhje me zhvillimin e ekosistemeve të inovacionit dhe bashkëpunimin e sektorit publik-privat.

Forumi i Inovacionit: Punësimi në sektorin publik dhe privat u përqëndrua në promovimin e modeleve të qëndrueshme dhe të bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat, tek fuqia e institucioneve të Inovacionit Digjital në vend, start-up-eve dhe iniciativave të jashtëzakonshme inovative që kanë bërë jo pak bujë në Shqipëri me produktet që ofrojnë.

Forumi u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe në partneritet me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).