Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

I nderuar Shkëlqesi Kryeministër,
E nderuar Znj. Kashta,
Z. Paolucci,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur kolegë dhe partnerë,

30-vjetori i Agjencisë së Prokurimit Publik merr vëmendje në një moment të posaçëm dhe simbolik pasi zhvillohet në zemër të këtij edicioni të shtatë të “Javës së Integritetit” që bën bashkë bashkëpunëtorë nga Shqipëria dhe sot edhe nga rajoni nën siglën e integritetit në sektorin publik dhe privat.
“Nuk ka sot sisteme imune ndaj korrupsionit, por ka sisteme që nuk dorezohen” dhe besoj rrugëtimi i sistemit të prokurimit publik në Shqipëri, vecanërisht në këtë dekadën e fundit, është dëshmi e gjallë e shndërrimit nga një mekanizëm teknik e burokratik të manipulueshëm, në një mendësi të re të përdorimit të financave publike në Shqipëri, në evoluim dhe përmirësim të pandërprerë.
Kjo mendësi e re i ka natyrisht bazat në teknologjinë si aleati kryesor, por dhe linjëzimin pothuaj tërësor me standardet evropiane përgjatë të gjithë ciklit të prokurimit publik, vlerësuar nga Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit dhe për përdorimi i parimit të të dhënave të hapura për të gjitha procedurat e prokurimit, si tregues i padyshimtë i transparencës.
Për ta bërë këtë të mundur dhe për ta çuar procesin në vijën e pakthyeshme të finishit, dy armët tona kyçe mbeten padyshim sistemet dhe njerëzit.
Nga lentja antikorrupsion, shumë shpejt nuk do të varet nga vullneti i kujtdo për të bërë gjënë e duhur, por nga aftësia e vetë sistemit për të dalluar riskun, për të sinjalizuar anomalitë dhe për të mbrojtur konkurrencën e ndershme në treg. Kjo është faza e re që po ndërtojmë sot: ku inteligjenca artificiale bëhet pjesë integrale e shtetit si garant i integritetit.

Paralelisht, prej një viti tashmë në një bashkëpunim trepalësh shumë të frytshëm bashkë me APP dhe Agjencinë Kombëtare Kundër Korrupsionit në Itali (ANAC), po ndërtojmë një proces të dedikuar të vlerësimit të riskut të korrupsionit në prokurimin publik, përtej automatizimit. Ndaj gjej rastin këtu të falenderoj përzemërisht Z. Romano Sekretar i Përgjithshëm i ANAC dhe të gjithë ekipin tejet të dedikuar italian nga ku kemi mësuar se sa shumë sfida të përbashkëta ndajmë në këtë sektor, por dhe sa shumë sistemit që kemi ngritur jo vetëm nga pikëpamja ligjore por dhe teknologjike përkojnë me ato të partnerëve tanë.

Ne e kemi nisur këtë qasje sektoriale sistemike njëhersëh edhe në disa nga sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit: në tatime dhe dogana, në shëndetësi ku po këtë javë lancojmë bashkëpunimin në këtë fushë me Institutin e Baselit për Qeverisje, një nga institucionet më prestigjoze të ekspertizës në fushën e luftës kundër korrupsionit në Evropë. Ndërsa, para dy javësh finalizuam vlerësimin e riskut të korrupsionit në sektorin i pronës, sektori i pari ku përfunduar dhe miratuar Planin e Integritetit për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pas gjashtë muajsh analize të thellë të të gjitha proceseve të punës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të evidentuar ku janë flamujt e kuq në punën e këtij institucioni dhe si duhet t’i adresohen ato me masa konkrete.

Por për t’iu rikthyer sistemit të prokurimit publik, nga këndvështrimi i rrugëtimit tejet intensiv qëkemi nisur me negociatat, sot në sajtë të një legjoislacioni të përqasur pothuaj tërësisht me standardet e BE, Kapitulli 5 “Prokurimi publik” është ndër kapitujt që presim të mbyllet sa më shpejtë në periudhën vijuese të negociatave, jo domosdoshmërisht për të mbyllur një kapitull si qëllim në vetvete, as realisht ose simbolikisht, por për të vulosur standardin më të mirë të mundshëm ku çdo shpenzim është i mbrojtur, çdo proces është i gjurmueshëm dhe çdo vendim është i matshëm.

Por sistemet moderne e çojnë prokurimin përpara; njerëzit e përgatitur sigurojnë që ai të arrijë në destinacion. Dy vitet e fundit kemi përqendruar të gjithë vëmendjen tek profesionalizmi i stafeve të prokurimit publik. në bashkëpunim me APP dhe ASPA, Shkoll[n Shqip[tare t[ Administrat[s Publike. Kemi trajnuar kemi trajnuar 2,400 nëpunës publikë në 21 module të specializuara prokurimi, dhe 400 prej tyre janë certifikuar zyrtarisht pas testimit si zyrtarë të prokurimit publik, me njohuri të thelluar anë këtë pikë.
Ato janë garancia jonë që çdo procedurë të zhvillohet me siguri juridike, që çdo vendim të mbrojë interesin publik dhe që administrata të mos gabojë aty ku nuk ka më hapësirë për gabime, aty ku shpenzohen fondet e qytetarëve.

Ndaj, s[ fundi, nga rradha por jo nga rëndësia shumë respekt për të gjithë zyrtarët që cdo ditë me shumë përkushtim e integritet, ku jo pak herë duhet të durojnë e të mbajnë mbi supe stigmën e padrejtë të dyshimit që i shoqëron mbi supe “si zyrtarë të prokurimit publik”, cojnë përpara të gjitha prokurimet publike të domosdoshme për shpenzimet dhe investimet publike në Shqipëri, për blerjne e ilaceve, ndërtimin e shkollave, e rrugëve.

Mirënjohje e vecantë për të gjithë ekipin e APP, urimet në këtë 30 vjetor shkojnë për gjithë ju që zgjidhni përditë dilemat etike të cdo zyrtari publik lidhur me prokurimin, dhe vecanërisht Drejtoreshës Kashta për modelin e zyrtarit publik tërësisht rigoroz e tejet profesional që mishëron.

Java e Integritetit është për të sjellë në dritë modele të shtetarëve si ky që ju përfaqësoni.

Faleminderit të gjithëve për shërbimin tuaj!