Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka prezantuar një nga iniciativat më të fundit në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe promovimit të integritetit në arsimin e vendit.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni së bashku me Ministrin e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu, diskutuan në një takim mbi rishikimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar, duke patur në fokus edukimin ligjor për integritet dhe edukimin kundër korrupsionit.

Gjatë takimit, dy ministret vendosën piketat e duhura të cilat brenda këtij viti do të sjellin ndryshime të prekshme pozitive dhe me mjaft vlerë.

Duke qenë se edukimi në bankat e shkollës është vendimtar në formësimin e karakterit të fëmijëve dhe të rinjve, është e domosdoshme të aplikohen metoda të reja për edukimin mbi atë çka do të thotë të jesh qytetar me integritet dhe se si të rinjtë mund të angazhohen në mënyrë proaktive në luftën kundër korrupsionit.

“Në Strategjinë Tonë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, një nga qëllimet kryesore është të përqendrohemi në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve të rinj. Sot, me kënaqësi, prezantojmë rishikimin e Kurrikulës së Integritetit për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, një projekt i realizuar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Ky rishikim synon të integrojë koncepte të reja që lidhen me integritetin, duke siguruar një mësim më efektiv dhe modern.

Në projekte të tjera, si Projekti Edukativ Antikorrupsion, në bashkëpunim me MAS dhe Ambasadën Italiane, kemi krijuar module mësimore të përfshira në programin e shkollave të mesme për të sensibilizuar dhe edukuar nxënësit për rëndësinë e integritetit dhe parandalimit të korrupsionit.

Kjo përpjekje e përbashkët e institucioneve dhe partnereve tanë ka qëllimin e përbashkët për të rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin e të rinjve në luftën kundër korrupsionit, duke i përgatitur ata për të qenë pjesë e një shoqërie të drejtë dhe transparente në të ardhmen.
Ne falenderojmë të gjithë partnerët tanë për angazhimin e tyre dhe mbështetjen në realizimin e këtyre projekteve. Bashkëpunimi ynë është jetësor për suksesin e këtyre nismave edukative dhe për të siguruar një arsimim cilësor dhe të përgjegjshëm për brezat e ardhshëm të Shqipërisë,” tha gjatë takimit ministrja Pirdeni.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin do ta ndjekë këtë bashkëpunim me prioritet të veçantë për ta sjellë ndërgjegjësimin në kuadër të luftës kundër fenomeneve korruptive më pranë fëmijëve dhe të rinjve që edukohen në bankat e shkollave.