Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Kryeministri Z.Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar “Karli i Madh” (Karlspreis), në qytetin historik të Aachen-it, Gjermani.
Veprimtaria e këtij viti përkoi me 75-vjetorin e krijimit të çmimit emblematik, duke i dhënë një domethënie të veçantë përmasave simbolike dhe politike të saj.
Çmimi “Karlspreis” përbën një nga nderimet më të larta që jepen në Evropë për figura dhe institucione që kanë kontribuar ndjeshëm në forcimin e unitetit evropian, në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve anëtare dhe në mbrojtjen e vlerave fundamentale të demokracisë, lirisë dhe paqes.
Laureatja e këtij viti ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Znj. Ursula von der Leyen, për kontributin e saj në forcimin e unitetit evropian, në një kohë kur Bashkimi Evropian përballet me sfida të mëdha, përfshirë agresionin rus në Ukrainë, tensionet tregtare me SHBA-në dhe çështjet e sigurisë në kontinent.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Presidentja e Komisionit Evropian, Dr. Ursula von der Leyen tha se Shqipëria është shembull për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Ky çmim, ky qytet, janë simbol i një Europe të bashkuar. Ka kaq shumë gjëra që dëshmojnë për kulturën dhe historinë tonë, për bukurinë e jashtëzakonshme të Europës dhe për luftërat tona tragjike, për rilindjet tona të shumta dhe për ringjalljen tonë nga hiri pas dy luftërave botërore të tmerrshme. Mrekullia e Europës, ribashkimi i fatit dhe historisë së popujve është e shkruar në këtë qytet. Kushdo që sheh Palatine Chapel ndjen se kjo forcë është mbledhur pikërisht këtu. Çfarë vendi. Çfarë force. Katedralja është një dëshmi e jashtëzakonshme e rilindjes shpirtërore, kulturore dhe politike të Europës, e nxitur nga vizioni i Karlit të Madh.
Ideja e tij për Evropën ishte të krijonte një hapësirë, ku shkenca dhe kultura, arsimi dhe sundimi i ligjit mund të zhvilloheshin – një vend ku njerëzit përpiqen për dije dhe vlera të përbashkëta. Ai ishte i bindur se e ardhmja e Europës ndërtohej mbi të kaluarën e saj – ashtu si Kapela (kisheza) e frymëzuar nga arti bizantin, romak dhe klasik, por e formësuar për një epokë të re. Ashtu siç edhe e ardhmja jonë do të mbështetet gjithmonë mbi të kaluarën – mbi kulturën dhe dijen, historinë dhe vlerat. Po, ky është një moment historik dhe nuk duhet ta lëmë të kalojë pa vepruar. Duhet të përballemi me këtë sfidë për Ukrainën, për Ballkanin Perëndimor.
Jam shumë e lumtur që mirëpres këtu Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Kjo është një shenjë gjithashtu për Republikën e Moldavisë dhe, shpresoj, edhe për Gjeorgjinë – për të gjithë ata që kanë vendosur në favor të një të ardhmeje të lirë dhe paqësore në Bashkimin tonë, për një Evropë më të fortë dhe më të pavarur. Shkëlqesitë tuaja, zonja dhe zotërinj, detyra e katërt qëndron në themel të tri detyrave të tjera. Është detyra për të rinovuar dhe forcuar demokracinë tonë. Të gjithë e dimë që demokracitë janë nën sulm – nga armiq të jashtëm që veprojnë me forca të bashkuara, por edhe nga përpjekje të brendshme për ti dëmtuar. Duhet t’u kundërvihemi këtyre tendencave me gjithë energjinë tone,” tha Von der Leyen.
Ndërkohë, Mbreti Felipe VI i Spanjës e cilësoi von der Leyen si “mishërimin e shpirtit evropian”, duke vlerësuar rolin e saj udhëheqëse.
Ky edicion jubilar u zhvillua përtej një kuadri ceremonial, duke u kthyer në një platformë të nivelit të lartë për reflektim mbi të ardhmen e Evropës, sfidat gjeopolitike dhe nevojën për solidaritet më të thelluar mes shteteve anëtare.
Që prej vitit 1950, çmimi i madh “Karlspreis” u është akorduar personaliteteve dhe institucioneve me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës përfshirë figura historike si Winston Churchill, “baballarëve themelues” të Bashkimit Evropian, Jean Monnet dhe Robert Schuman, diplomatit Henry Kissinger etj.
Deri më sot, çmimi i madh i është dorëzuar liderëve në detyrë dhe personaliteteve të shquara, si Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, Presidenti francez Emmanuel Macron, ish-Presidenti amerikan Bill Clinton, ish-Kancelarja Angela Merkel, ish-Kryeministri britanik Tony Blair, Papa Françesku etj.
Ky çmim ndërkombëtar mban emrin e Perandorit Karli i Madh, i cili sundoi pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Karli i Madh u kurorëzua Perandor në Romë në vitin 800 dhe luajti një rol kyç në formësimin e historisë evropiane.

Photo Credit: von Christian van’t Hoen