Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në datën 15 prill, në Bari të Italisë, u mbajt edicioni i dytë i Programit për Shkëmbimin dhe Rritjen e Kapaciteteve të Nëpunësve Publikë nga Ballkani Perëndimor.
Delegacioni shqiptar në këtë konferëncë përfaqësohej nga Znj. Fotjona Taçe, Shefe e Kabinetit pranë Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Znj. Silvana Rusi, këshilltar pranë Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Në emër të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Taçe përshëndeti konferencën “Drejt një hapësire të përbashkët administrative Evropiane: Lidhja e Ballkanit Perëndimor me Administratën Italiane”.
Gjatë fjalës, Znj. Taçe theksoi se programi përfaqëson një hap domethënës në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt administratave publike moderne, të bashkuara nga vizioni i përbashkët për standarde dhe vlera evropiane.
Konferenca shënoi nisjen zyrtare të Programit 2.0 për Ngritjen e Kapaciteteve dhe Lëvizshmërisë së Nëpunësve Publikë, një nismë e projektuar për të nxitur shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin institucional midis Ballkanit Perëndimor dhe administratës së shtetit italian.
Falë organizimit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) dhe me bashkëpunimin e Shkollës Italiane të Administratës Publike (SNA), dhe Departamentit Italian të Administratës Publike, nëntë nëpunës shqiptarë do të trajnohen në tre module: Tregu i Përbashkët Evropian; Çështjet evropiane dhe Rritja e bashkëpunimit mes administratave rajonale dhe asaj italiane.