Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Fryma e ekipit u rikthye në turneun e Volejbollit, organizuar në kuadër të “Javës së Administratës Publike, Edicioni II”.
Me qëllim forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe promovimin e një stili jetese të shëndetshëm, “Java e Administratës Publike Edicioni II”, duke vijuar traditën e një viti më parë organizoi Turneun e Volejbollit mes ministrive dhe Kryeministrisë.
Ky aktivitet simbolizon rëndësinë e punës në grup, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një administrate energjike dhe të motivuar.
Shpirti i garës doli në pah nga 11 ekipet e ministrive dhe Kryeministrisë përgjatë një jave “të ethshme” të cilat u përballën me njëra-tjetrën.
Në pallatin e sporteve “Asllan Rusi” në Tiranë, në praninë e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, u luajt ndeshja finale e Kampionatit të Volejbollit të Administratës Publike II, ku u përballën në një finale emocionuese Ministria e Arsimit dhe Sportit me Kryeministrinë.
Ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u shpall fitues, duke treguar shpirt skuadre dhe energji pozitive në çdo set.
Trofeu iu dorëzua nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, e cila përgëzoi ekipin për fitoren e merituar, atmosferën entuziaste dhe emocionet e bukura që i dhanë këtij aktiviteti sportiv mes institucioneve.