Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nisën turin e dialogut me të rinj e studentë nga Shkolla e Magjistraturës, me magjistratët e rinj që do të jenë jo vetëm profesionistë të drejtësisë, por edhe garantues të vlerave dhe standardeve evropiane në sistemin tonë.

Ky tur dialogu është një mundësi për të diskutuar dhe bashkëndarë ide mbi Evropën dhe procesin e integrimit, si dhe për të theksuar rolin e gjithsecilit në këtë proces. Integrimi evropian nuk është vetëm një proces negociatash, por një transformim i përditshëm në vend, duke sjellë më shumë standarde, siguri dhe mundësi për çdo qytetar shqiptar.

Një falënderim i posaçëm për Shkollën e Magjistraturës për mikpritjen dhe organizimin e këtij bashkëbisedimi të hapur, si dhe për drejtuesin e saj, pedagogët dhe kandidatët për magjistratë për angazhimin e tyre.