Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, mori pjesë në konferencën ministrore “Kapacitetet e administratave publike për integrim në Bashkimin Evropian dhe më tej”, e organizuar nga Komisioni Evropian me mbështetjen e SIGMA-s.
Në konferencë morën pjesë ministra dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Moldavia dhe Armenia, si dhe nga organizatat rajonale dhe ndërkombëtare si ReSPA, OECD, RCC dhe WEBER.
Gjatë fjalës që mbajti në konferencë, ministrja Pirdeni prezantoi përvojën e Shqipërisë në ndërtimin e kapaciteteve dhe përgatitjen, trajnimin e stafeve të administratës publike për t’i bërë ballë procesit tejet intensiv të anëtarësimit në BE, ku kryefjalë mbetet inovacioni. Gjithashtu ministrja Pirdeni u ndal tek rëndësia e profesionalizmit të trupës së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues si një komponent kyç i qeverisjes efektive.
Në tryezat e rrumbullakëta të konferencës u shkëmbyen analiza të vlefshme mbi sfidat e përbashkëta në ndërtimin e kapaciteteve administrative dhe trajtuan praktikat më të mira për qeverisje efektive, përfshirë menaxhimin dhe lidershipin në administratën publike.