Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

“Java e Administratës Publike, Edicioni II-të” kulmoi me eventin “Ti je Aset”, i cili u rikthye për të dytin vit radhazi duke bërë bashkë punonjësit e administratës publike, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, drejtues të institucioneve dhe ekspertë.
Ky aktivitet jo vetëm që vlerësoi punonjësit më të mirë të administratës publike, por shërbeu edhe si një platformë dialogu mes ekspertëve të fushës dhe vendimmarrësve, duke adresuar sfidat aktuale dhe nevojën e domosdoshme për reformimin e këtij sektorit.
Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për një administratë më të drejtë, më transparente, më motivuese dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat e procesit të integrimit evropian
“Që vitin e kaluar kur e lançuam me shumë dedikim Javën e Administratës Publike, si çdo vend që e merr shumë seriozisht trajtimin e denjë të sektorit të vet publik, ishim plotësisht të vendosur që “Ti je Aset” do të kthehej në gurin e kurorës së kësaj jave. Puna e të gjithëve ne përgjatë vitit ka si kryefjalë integritetin personal në punë dhe performancën e mirë që i bën nder misionit të të përbashkët. Për këtë arsye, vendi i këtij eventi në një hapësirë 1 javore çdo vit tashmë nuk ka kompromis.
Megjithatë, ju ftoj ta shohim të sotmen së bashku jo vetëm si një ceremoni mirënjohjeje, por si një moment për të ndalur dhe për të parë me sy të kthjellët ku ndodhet sot administrata publike shqiptare. Dhe për të pranuar hapur se, përtej shembujve frymëzues që do të nderojmë sot, sistemi ka nevojë të reformohet në thelb: që të jetë më i drejtë, më transparent, më motivues dhe më i aftë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes”, tha Ministrja Pirdeni.
Gjatë eventit u vlerësuan me trofe simbolike punonjës të administratës nga 11 ministri dhe Kryeministria, të cilët u nominuan nga vetë kolegët e tyre në bazë të meritës dhe kontributit që japin në punë.
Ministrja Pirdeni u shpreh se këta punonjës janë asete të çmuara të institucioneve tona, modele të vërteta përkushtimi dhe profesionalizmi.
“Po e kthejmë tashmë në një traditë të bukur vlerësimin e punonjësit më të mirë të vitit për 12 ministritë dhe Kryeministrinë. Këta janë asete të çmuara të administratës publike, modele për t’u ndjekur, të nominuar me vlerësim nga vetë kolegët e tyre. Mirënjohje e thellë për të gjithë koleget dhe kolegët e administratës që me shumë diligjencë dhe integritet që i kanë dedikuar jetën e tyre profesionale shërbimit publik”, u shpreh ministrja Pirdeni.
“Java e Administratës Publike 2025” u rikthye në edicionin e dytë, si një platformë gjithëpërfshirëse për angazhim të hapur, reflektim dhe dialog vizionar mbi të ardhmen e qeverisjes në Shqipëri.