Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, vizitoi gjimnazin “Asim Vokshi” në Tiranë, një nga 12 shkollat ku po zbatohet programi “Edukimi mbi Korrupsionin”. Kjo iniciativë synon ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi vlerat e drejtësisë dhe integritetit.

Gjatë takimit me nxënësit e klasave të 10-ta, ministrja Pirdeni theksoi rëndësinë e modelimit të sjelljeve antikorrupsion që në bankat e shkollës. Ministrja vlerësoi suksesin e projektit deri më tani, duke theksuar se përvoja e nxjerrë nga partneriteti me Italinë ka sjellë rezultate të prekshme në shkollat shqiptare që janë pjesë e iniciativës.

“Në fillim, ky projekt nisi në katër shkolla të Tiranës dhe tashmë është shtrirë në 12 shkolla në mbarë vendin. Jemi krenarë që gjimnazi ‘Asim Vokshi’ është një ndër gjimnazet që ka përqafuar këtë ide. Falenderoj veçanërisht mësuesit për përkushtimin e tyre ndaj këtij misioni të rëndësishëm,” u shpreh ministrja Pirdeni.

Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit dhe mësuesit, ministrja priti sugjerime për përmirësimin e programit, duke theksuar se do të punohet për ta bërë modulin edhe më tërheqës dhe të integruar në programin mësimor për vitin shkollor që sapo ka nisur.

Programi “Edukimi mbi Korrupsionin” po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ambasadën Italiane. Synimi kryesor i tij është edukimi i nxënësve mbi rëndësinë e integritetit dhe parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë gjimnazistët në 6 qarqe të ndryshme të vendit.