Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, ishte pjesë e delegacionit të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar.

Samiti i organizuar në pallatin historik Blenheim në Oksfordshire, bashkoi 47 liderë nga pothuajse të gjitha vendet evropiane, me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë. Ndër temat kryesore të diskutimeve ishin emigracioni i paligjshëm, mbrojtja e demokracisë, siguria dhe lufta në Ukrainë.

Pritës të samitit ishin Mbreti Çarls III dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me homologen italiane Giorgia Meloni, drejtuan një tryezë mbi sfidat e emigracionit të paligjshëm, ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Presidenti malazez, Jakov Milatoviç, mbajtën një diskutim mbi mbrojtjen e demokracisë.

Në samit mori pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ky është samiti i katërt i Komunitetit Politik Evropian, një iniciativë e Presidentit francez Emmanuel Macron, e cila filloi pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të BE-së dhe atyre që nuk janë pjesë e unionit. Takimet e mëparshme janë mbajtur në Spanjë, Moldavi dhe Republikën Çeke.