Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në kuadër të “Javës për Administratën Publike: Modernizimi në Veprim” Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në bashkëpunim me zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë, me DAP dhe ASPA organizuan Forumin e Burimeve Njerëzore.

Forumi mblodhi përfaqësues të informacioneve kyçe partnere përfshirë Shkollën Shqiptare e Administratës Publike, Komisionerin për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, njësitë e burimeve njerëzore në nivel qëndror dhe vendor të cilët diskutuan mbi digjitalizimin e proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe zhvillimin e kapaciteteve të nëpunësve publikë.

Fokusi kryesor i diskutimeve mes profesionistëve pjesëmarrës ishte transformimi digjital i proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore i cili do të sjellë unifikim procedurash, rritje të transparencës dhe përgjegjshmëri në administratën publike.
Në fjalën e saj Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni diskutoi për iniciativat konkrete digjitale, që do të çojnë në një tjetër nivel të gjitha proceset e punës për burimet njerëzore në administratë. Më tej ministrja Pirdeni shtoi se tërheqja e një kapitali njerëzor të ri dhe sa më cilësor, si dhe energjizimi i stafeve aktuale, janë veçanërisht të domosdoshme në kushtet e intensifikimit të mëtejshëm të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Sakaq, drejtuesja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Znj. Giulia Re në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rolin që mjetet digjitale luajnë në garantimin e një zbatimi të unifikuar të proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore në të gjithë nivelet e administratës publike.

Bisedimet gjatë forumit nënvizuan rëndësinë e përmirësimit dhe inovacionit të vazhdueshëm në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore për të krijuar një administratë publike më eficente dhe të përgjegjëshme.