Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni ka zhvilluar një takim me drejtues dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe shoqatat e biznesit në vendin tone, për të shkëmbyer praktikat më të mira në funksion të rritjes së standardit të integritetit dhe luftës antikorrupsion në institucionet shtetërore dhe në sektorin privat

Përgjatë takimit me temë “Tryezë për Integritetin: Sektori Publik dhe Sektori Privat bashkë kundër Korrupsionit” u analizuan sfidat aktuale si dhe u diskutuan mënyrat për të forcuar instrumentat parandalues, dënues dhe ndërgjegjësues kundër korrupsionit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Pirdeni bëri të ditur se po punohet intensivisht në hartimin e draftit të strategjisë së re antikorrupsion 2024-2030. Kjo strategji do të ketë një qasje sektoriale me fokus në disa fusha me interes për biznesin.

“Qëllimi i kësaj tryeze është sesi ne të rrisim bashkëpunimin me të gjithë bizneset që ju përfaqësoni, por veçanërisht me ju, zëri kryesor i biznesve për të ngritur të gjitha çështjet, shqetësimet që ju i gjykoni me vend. Kjo tryezë në kuadër të integritetit është e para që zhvillohet nga MAPA, por në fakt ju keni qenë të pranishëm në një serë takimesh organizuar kur pozicioni i Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion i takonte ministrisë së Drejtësisë. Unë do doja të ndaja me ju tre nga prioritet kryesore aktuale që ne kemi për të çuar përpara këtë proces. Ne kemi nisur një proces të hartimit të Strategjisë së re Antikorrupsion 2024-2030. Duke diskutuar bashkë ne duhet të shikojmë ato pika të nxehta të cilat kërkojnë më tepër vëmendje. Fokusi jonë bazohet në pesë sektorë kryesorë,” tha ministrja Pirdeni.

Më tej ministrja Pirdeni theksoi se ky është një takim i frytshëm për ndërtimin e një marrëdhënie besimi me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, për të denoncuar rastet korruptive që ndeshin në veprimtarinë e tyre bizneset, por edhe për të adresuar pengesat ligjore si burim korrupsioni.

Takimi u zhvillua në formën e një bisede të hapur, ku drejtues dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe shoqatat e biznesit dhanë mendimet, sugjerimet, komentet dhe rekomandimet e tyre.

Diskutimi i hapi rrugën krijimit të një ekipi të përbashkët që do të mblidhet periodikisht për të ndjekur me rigorozitet të gjitha zotimet në kuadër të rritjes së integritetit në sektorin publik dhe privat.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e Projektit CSDA të UNDP-së (“Konsolidimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin në Shqipëri”) me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) si kontribuues kryesor, në vijim të mbështetjes për forcimin e integritetit në administratën publike.