Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

I nderuar z. Rana,
E nderuar Shkëlqesi Ambasadore Huber,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi e veçantë të jem sot mes jush, në një aktivitet që prej vitesh është shndërruar në një prej momenteve më domethënëse të Javës së Integritetit. Një hapësirë ku jo vetëm reflektojmë mbi arritjet tona, por mbi të gjitha përcaktojmë me qartësi drejtimin strategjik të rrugëtimit tonë të përbashkët.
Tema që sjellë kjo konferencë, në Edicionin e 7-të të “Javës së Integritetit” nuk është një metaforë, por një parim udhëheqës. Ajo sintetizon sfidat dhe aspiratat tona në një kohë dinamike, ku vetëm integriteti garanton që vendimmarrja publike të mbetet e drejtë, e qëndrueshme dhe e fokusuar në interesin më të lartë publik.
Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për ICC Albania dhe për të gjithë partnerët tanë të çmuar, të cilët çdo vit, me seriozitet, përkushtim dhe profesionalizëm, e bëjnë këtë nismë jo vetëm të mundur, por gjithnjë e më të qëndrueshme dhe më ndikimplotë. Kontributi juaj nuk kufizohet në këtë javë simbolike. Ai shtrihet gjatë gjithë vitit, duke mishëruar vlerat që sëbashku ndajmë dhe duke ecur krah nesh në forcimin e integritetit institucional, shtetformimit modern dhe jetëzimin e reformave drejt standardeve evropiane të qeverisjes.
Është pikërisht ky partneritet i qëndrueshëm që na kujton se integriteti nuk është vetëm normë, por praktikë e përditshme. Integriteti është një fond vlerash të pandryshueshme, vlera që nuk rrëzohen nga ritmi i teknologjisë dhe as lëkunden nga dinamikat shoqërore. Ato janë boshti ynë moral. Por mënyra se si i ruajmë, i ripërdorim dhe i vëmë në funksion të së sotmes duhet të evoluojë me kohën, të përshtatet dhe të pasqyrojë realitetet e reja me të cilat përballet administrata moderne.
Prandaj, busulla jonë mbetet e njëjtë, ajo që ndryshon është orientimi ynë në një botë që evoluon çdo ditë.
Prej më shumë se një dekade, adresimi i sfidave në këtë drejtim ka qenë dhe mbetet një prioritet absolut për Qeverinë Shqiptare. Shqipëria nuk ka bërë thjesht reformë, ajo ka ngritur një arkitekturë të re integriteti, të mbështetur në të dhëna, teknologji dhe standarde moderne të llogaridhënies.
Digjitalizimi ka qenë shtylla e kësaj transformimi: nga vetëm 14 shërbime online në vitin 2013, sot ofrojmë 1253 shërbime tërësisht digjitale. Këto nuk janë thjesht të dhëna statistikore, por tregues domethënës të një transformimi real. Transparenca, gjurmueshmëria dhe automatizimi kanë kufizuar ndjeshëm hapësirat për abuzim dhe kanë forcuar përgjegjshmërinë institucionale, duke krijuar një administratë më të drejtë, më efektive dhe më të orientuar kah qytetarët.
Ky orientim po thellohet çdo ditë. Integrimi i inteligjencës artificiale në të gjithë ciklin e prokurimit publik, nga përcaktimi i specifikimeve teknike deri te monitorimi i zbatimit të kontratave, nuk përfaqëson më një risi teknologjike, por një zgjedhje strategjike për të fortifikuar integritetin në vetë themelet e vendimmarrjes publike.
Këto ndërhyrje, që ushqejnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën, tregojnë qartë se integriteti nuk është më vetëm një parim orientues, po shndërrohet në mekanizëm funksional të shtetit modern. Një mekanizëm që orienton reformat, forcon institucionet dhe krijon standarde të reja të shërbimit publik.
Edhe në ekonominë globale, integriteti ka të njëjtën peshë si infrastruktura, investimet apo kapitali njerëzor. Sot, aktorët ekonomikë, nga investitorët e huaj te bizneset vendase, e masin cilësinë e një tregu jo vetëm nga potenciali i fitimit, por nga siguria që u ofron dhe qartësia e rregullave e politikave të implementuara. Për këtë arsye, ku komponent është bërë një ndër treguesit më të fuqishëm të vlerësimit të konkurrueshmërisë dhe cilësisë së qeverisjes.
Brenda këtij vizioni, analizat sektoriale të riskut kanë marrë një rol qendror në procesin e politikëbërjes. Duke u fokusuar në sektorë vulnerabël ndaj incidencës së korrupsionit, këto analiza ofrojnë një pasqyrë të qartë dhe të thelluar të funksionimit të sistemeve tona. Ato na tregojnë jo vetëm ku lindin problemet, por edhe cilat janë shkaqet e tyre dhe si mund të parandalohet materializimi i riskut në praktikë.
Kjo qasje, e mbështetur në evidenca, po vendos një standard të ri në politikëbërje: më analitike, më të matshme dhe më të përgjegjshme. Ajo na mundëson të ndërhyjmë në mënyrë sistemike, të fokusohemi aty ku ndikimi është më i madh dhe të menaxhojmë burimet me efektivitet e qartësi strategjike.
Të gjitha këto angazhime bëjnë të mundur që integriteti të mos mbetet një nocion abstrakt apo aspirativ, por të shndërrohet në një mekanizëm konkret që forcon shtetin, rrit besueshmërinë e institucioneve dhe konsolidon themelet e qeverisjes moderne.
Të nderuar pjesëmarrës,
Integriteti është dhe mbetet busulla jonë e pandryshueshme, parimi themelor mbi të cilin ngrihet një administratë e përgjegjshme, një ekonomi e qëndrueshme dhe një demokraci funksionale. Ai është pikëreferimi ynë i përhershëm, qartësia morale që udhëheq veprimin publik dhe garancia jonë se çdo hap i reformave ndërmerret në shërbim të interesit të përgjithshëm.
E ardhmja e institucioneve tona nuk ndërtohet me reagim të vonuar, por me orientim të saktë, me vendosmëri dhe me përkushtim ndaj standardeve më të larta të qeverisjes. Dhe orientimi ynë është i qartë: të sigurojmë që çdo institucion të jetë më transparent, më i besueshëm dhe më i aftë t’u shërbejë qytetarëve me profesionalizëm dhe efektivitet.
Jam e bindur se diskutimet e sotme do të sjellin ide të vlefshme dhe perspektiva të reja, të cilat do të ushqejnë përpjekjet tona të vazhdueshme për forcimin e standardeve të integritetit dhe për rritjen e kulturës së përgjegjshmërisë në vend.
Ju falenderoj dhe ju uroj një konferencë sa më të mbarë!