Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

E nderuar znj. Gjonaj,
Të nderuar ekspertë, kolegë dhe pjesëmarrës,
Dëshiroj ta nis këtë fjalë me një falënderim të sinqertë për të gjithë ju që keni qenë të përfshirë në këtë angazhim të rëndësishëm të Kuvendit: ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, botës akademike dhe asaj të biznesit. Falë qasjes suaj proaktive dhe kontributit të vyer, është bërë i mundur hartimi i një produkti që synon të avancojë më tej progresin tonë drejt objektivit të përbashkët: anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ky angazhim i Kuvendit sot ne procesin e negociatave paraqitet si një mundësi me rëndësi kritike për të thelluar konsolidimin e shtetbërjes demokratike dhe për t’i dhënë dimensionin e duhur dhe të merituar vizionit të Shqipërisë 2030.
Prej momentit historik të çeljes së negociatave në korrik të vitit 2022, produkt i transformimit rrënjësor të Shqipërisë brenda kësaj dekade, vendi është tashmë në një trajektore të pandalshme drejt ngritjes në një tjetër nivel të standardeve të mirëqeverisjes, luftës së pakompromistë kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Kjo valë reformuese e diktuar nga premtimet që ne tashmë i kemi bërë Brukselit duhet të rrokë çdo qelizë institucionale të tre pushteteve, për ta afruar drejt qendrës së rëndesës që i bashkon të gjithë pa dallim: pranimi i Shqipërisë në Familjen e Madhe të Evropës së Bashkuar.
Në këtë kontekst, rezoluta për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030, ishte një shprehje unike e këtij momenti vetëdijësimi se progresi i pamohueshëm duhet të konsolidohet në mënyrë të parevokueshëm.
Krahas angazhimit te Kuvendit, Qeveria sot drejton një proces të pandalshëm të forcimit të pozicionit të saj qendror në luftën ndaj korrupsionit brenda vetë ekzekutivit, si shprehje e vetëdijësimit për nevojën për vigjilencë të pandalur të brendshme në sfidë të përhershme përmirësimi me vetveten.
Ndaj vijojmë të jemi fuqimisht të angazhuar me bindjen se vetëm ndërhyrjet sistemike, me masa po aq sistemike në modernizimin e çdo hallke qeverisëse do të tkurrin gradualisht çdo shteg të mbetur korrupsioni. Në mënyrë të posaçme, do të vijojmë me dedikim në sektorët vulnerabël dhe në rininxhinierimin e proceseve të brendshme administrative për të eliminuar kështu nga çdo kanal nga mund të depërtojë korrupsioni.
Të gjitha këto angazhime kanë qënë dhe mbeten në qendër të dy strategjive ndërsektorale që përkojnë drejtpërdrejt me dy nga tri shtyllat e punës së Komisionit, përkatësisht Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit dhe Strategjinë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike, në linjëzim të përpiktë me agjendën kombëtare për integrim dhe udhërëfyesit, si gur themeli për vijimin e valës së jetësimit të reformave.
Megjithatë, integrimi i Shqipërisë në familjen e Madhe të Evropës së Bashkuar brenda kësaj dekade, nuk mund kurrsesi të jetë vetëm produkt i një qasjeje thjesht qeveritare, por duhet të jetë mbarëkombëtare dhe shoqërore. Ndaj dimensioni thelbësisht demokratik e gjithëpërfshirës që qendron në zemër të rolit të Kuvendit, e kthen atë natyrshëm në kryeqendrën e thellimit të dialogut me të gjithë aktorët shtetërore dhe joshtetërorë.
Vizioni për luftimin kapilar të korrupsionit është pjesë dhe vazhdon të kërkojë sot zgjerim dhe përsosje të qasjes sonë të vazhdueshme në respektim të plotë të kornizës Kushtetuese të të tre pushteteve.
Nga optika e kolegëve me të cilët kam fatin të bashkëpunoj për të çuar përpara reformën në administratën publike dhe agjendën antikorrupsion dhe nga këndvështrimi im si Ministrit të Shtetit përgjegjës për mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, angazhimi me ekspertët e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm në forumet publike e ka kthyer Kuvendin në vatrën e dialogut të hapur dhe tejet profesional me të gjithë ne, aktorë shtetërorë dhe joshqetërorë.
Busulla më e sigurt për të vlerësuar progresin dhe për të orientuar intensifikimin e transformimit drejt Shqipërisë 2030, si pjesë e familjes së madhe evropiane, mbeten gjetjet e raportit të progresit për vendin tonë, së bashku me një sërë dokumentesh udhërrëfyese të rëndësishme, si: Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, Udhërrëfyesi për Reformën në Administratën Publike, Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, një rol të pazëvendësueshëm luajnë instrumentet e Këshillit të Evropës në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.
Dy javë më parë, gjatë plenares së 99-të të GRECO-s, më 19 mars, Shqipëria përmbylli me sukses vlerësimin për Raundin e V, duke dëshmuar angazhimin serioz dhe të qëndrueshëm në parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e rendit. Ky moment i rëndësishëm sfidoi çdo skepticizëm dhe tregoi qartë se Shqipëria jo vetëm që mund, por edhe do të hedhë hapa të pakthyeshëm drejt forcimit të integritetit dhe shtetit të së drejtës.
Po ashtu, avancimet e reflektuara në raportin e fundit të Komisionit Evropian në fushën e qeverisjes janë një arsye e fortë për tu ndjerë krenarë për performancën e Shqipërisë. Megjithatë, këto arritje nuk na mjegullojnë vetëdijen për sfidat që kemi përpara, as për intensitetin e angazhimit që kërkon ky proces historik. Përkundrazi, na motivojnë të dyfishojmë përpjekjet për të përshpejtuar këtë rrugëtim unik të Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, përpos angazhimit institucional për të vijuar me ritmin e reformave në këto dy fusha, kemi mirëpritur punën profesionale dhe diskutuar gjërësisht me ekspertët e komisionit për percaktimin e një sekuence të qartë e të detajuar të angazhimeve, brenda afateve që kemi marrë përsipër ti respektojmë.
Dëshiroj të shtoj se rolin e ekspertëve e shohim me vlerë si bashkëpunëtorë dhe monitorues me lente të kritike për adresimin e kërkesave, përputhshërinë në standarde dhe respektimin e afateve të parashikuara.
Megjithatë, duke marrë në konsideratë diskutimet e deritanishme me ekspertët dhe konsultimin mbi Planin e Veprimit — i cili përbëhet nga 106 masa specifike, prej të cilave 66 janë të natyrës organizative dhe institucionale dhe 40 nisma ligjore — dëshiroj të ndalem shkurtimisht në disa çështje kryesore:
Së pari, Plani i Veprimit duhet të përmbajë masa që përcaktojnë qartë rolin udhëheqës të Kuvendit në proceset e mirëqeverisjes dhe antikorrupsionit. Me rëndësi të veçantë janë masat që rrisin angazhimin dhe kapacitetet e Kuvendit për të ndjekur dhe monitoruar procesin e negociatave me BE, siç është parashikuar në krye të seksionit për Mirëqeverisjen në draftin e Planit të Veprimit.
Së dyti, duke qenë se detyrat kryesore të institucioneve ekzekutive dhe atyre të pavarura janë tashmë të përcaktuara në dokumentet strategjike të dakordësuara me Komisionin Evropian dhe në strategjitë përkatëse sektoriale dhe ndërsektoriale, përgjegjësia për planifikimin dhe zbatimin e tyre u takon institucioneve përkatëse. Ndërkohë, Kuvendi duhet të fokusohet në monitorimin e përmbushjes së këtyre detyrimeve. Në këtë kontekst, Plani i Veprimit duhet të funksionojë si një dokument mbikëqyrës dhe jo të hyjë në detaje teknike apo masa shumë specifike, të cilat tashmë janë të përfshira në dokumente të tjera strategjike.
Së treti, në çdo rast kur propozohet hartimi i një ligji të ri apo krijimi i institucioneve të reja që nuk janë të parashikuara në dokumentet ekzistuese strategjike institucionale, është e domosdoshme të paraprihet nga një analizë e thelluar. Kjo analizë duhet të vlerësojë nëse problematikat rrjedhin nga mangësitë në kuadrin ligjor apo nga zbatimi i tij, dhe nëse krijimi i një institucioni të ri sjell realisht vlerë të shtuar. Ky vlerësim duhet të marrë parasysh me kujdes kostot financiare, nevojat konkrete dhe mundësinë për konsolidimin e strukturave ekzistuese, me qëllim shmangien e fragmentimit institucional dhe rritjen e efikasitetit.
Në përfundim, dëshiroj të shpreh edhe njëherë mirënjohjen time të sinqertë për rolin e çmuar të ekspertëve në këtë proces dhe të falënderoj të gjithë aktorët për angazhimin, bashkëpunimin dhe kontributin e vyer në hartimin e këtij Plani Kombëtar Veprimi. Mirëpres me vlerësim të gjitha diskutimet që do të vijojnë në këtë kuadër dhe konfirmoj angazhimin tonë të palëkundur, në të gjitha nivelet, për suksesin e këtyre përpjekjeve të përbashkëta drejt objektivit madhor: Shqipëria 2030, anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Së bashku duhet të sigurohemi që mekanizmat e mirëqeverisjes, transparencës, si dhe të gjithë instrumentet për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, të funksionojnë në mënyrë efektive dhe të adresojnë me prioritet të gjitha pikat nevralgjike që ndikojnë në ecjen përpara të procesit të negociatave.
Faleminderit!