Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Të nderuar kolegë, të dashur pjesëmarrës,
Mirë se vini dhe faleminderit që jeni sot këtu, në një pasdite shumë të nxehtë korriku dhe me shumë angazhime paralele, një pjesë e tyre me siguri edhe personale. Fakti që jeni këtu flet për seriozitetin që i kushtojmë të gjithë përmirësimit të administratës publike ku rritemi profesionalisht çdo ditë.
Më lejoni të them që në krye që jam personalisht shumë entuziaste të shoh shumë fytyra familjare nga vjet dhe një pjesë edhe të reja në edicionin e dytë të këtij eventi. Që vitin e kaluar kur e lançuam me shumë dedikim Javën e Administratës Publike, si çdo vend që e merr shumë seriozisht trajtimin e denjë të sektorit të vet publik, ishim plotësisht të vendosur që “Ti je Aset” do të kthehej në gurin e kurorës së kësaj jave. Puna e të gjithëve ne përgjatë vitit ka si kryefjalë integritetin personal në punë dhe performancën e mirë që i bën nder misionit të të përbashkët. Për këtë arsye, vendi i këtij eventi në një hapësirë 1 javore çdo vit tashmë nuk ka kompromis.
Megjithatë, ju ftoj ta shohim të sotmen së bashku jo vetëm si një ceremoni mirënjohjeje, por si një moment për të ndalur dhe për të parë me sy të kthjellët ku ndodhet sot administrata publike shqiptare. Dhe për të pranuar hapur se, përtej shembujve frymëzues që do të nderojmë sot, sistemi ka nevojë të reformohet në thelb: që të jetë më i drejtë, më transparent, më motivues dhe më i aftë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Edhe festa më e merituar nuk mund të fshijë faktin që, në një terren me gropa, as talenti nuk vrapon dot gjatë. Prandaj sot do të nderojmë profesionistët e mirë dhe me integritet, por do të flasim edhe për sistemin e përmirësuar që duhet të mbështesë punën e tyre, jo ta frenojë.
Sot përballemi me një fragmentim të prekshëm, me praktika të ndryshme interpretimi e zbatimi të ligjeve e rregullave të lojës në organizimin institucional, me sfida të mëdha në nivelin e lartë drejtues, në klasifikimin e pozicioneve deri te garantimi i performancës dhe motivimit të punonjësve. Këto janë sfida të evidentuara jo vetëm nga ekspertiza vendase ndër vite, por të konfirmuara edhe nga instrumente të pavarura ndërkombëtare si vlerësimi i fundit i SIGMA-s, që ka vënë gishtin në disa plagë sistemike që e zbehin efikasitetin dhe përgjegjshmërinë institucionale.
Sot, për herë të parë në një format publik, do të diskutojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë për dy ligje themelore që kanë përcaktuar për mbi një dekadë mënyrën si funksionon administrata publike shqiptare: ligjin për nëpunësin civil dhe atë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Të dy këto ligje janë në nevojë jetike përmirësimi – dhe jo rastësisht.
Përtej domosdoshmërisë që sjell procesi edhe më dinamik dhe kërkues sesa e prisnim i integrimit në Bashkimin Evropian, janë një sërë sfidash shumë konkrete që e bëjnë këtë moment një pikë kthese që nuk mund ta anashkalojmë. Nga njëra anë, sfida e garantimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv për rekrutimet, promovimet dhe menaxhimin e burimeve njerëzore — ku merita, transparenca dhe konkurrenca duhet të jenë jo vetëm parime, por edhe standarde të matshme. Nga ana tjetër, sfida për të riorganizuar në mënyrë më koherente vetë strukturën institucionale të shtetit, për të pasur më shumë qartësi në tipologjitë e institucioneve, në varësitë funksionale dhe në mekanizmat e mbikëqyrjes e llogaridhënies.
Nëse kjo do të ishte thjesht çështje ndryshimi të ligjit, sigurisht mund ta kishim kryer me kohë një tjetër detyrë për t’u raportuar për Brukselin. Megjithatë, në vizionin tonë, nuk duam të rishkruajmë vetëm ligje, po përpiqemi të ndërtojmë një kornizë të re për një administratë që është më moderne, më e orientuar drejt shërbimit dhe që është realisht e përgatitur për sfidat që sjell jo vetëm integrimi fillestar evropian, por edhe të qendruarit denjësisht si administratë anëtare e Unionit.
Në nivel makro, Shqipëria ka sot sytë nga modelet më të mira të administrimit publik. Marrja e statusit të vëzhguesit në EUPAN në nëntor të vitit të kaluar, ashtu si edhe përpjekjet tona të vazhdueshme për të rritur pjesëmarrjen në strukturat administrative të Bashkimit Evropian, tregojnë qartë se jemi të gatshëm të adoptojmë më të mirën që është testuar dhe provuar. Por çdo reformë e qëndrueshme nuk mund të fillojë tjetërkund veçse këtu, në shtëpinë tonë, nga brenda sistemit tonë.
Ndaj, diskutimi i sotëm nuk është formal. Është një thirrje për bashkëpunim dhe bashkëpërgjegjësi. Reforma jonë e përbashkët nuk ka pronar të vetëm, por kërkon mbështetje teknike, konsensus dhe mbi të gjitha, vullnet për të ndryshuar mënyrën si mendojmë dhe veprojmë.
Dhe është një reformë që nuk mund të bëhet as në zyrë, as me vetëkënaqësi teknike. Kërkon dialog të hapur, ekspertizë të thellë dhe kurajo institucionale.
Kjo është ajo që po bëjmë sot.
Ndaj ka shumë rëndësi për ne që ju jeni këtu, për të ndarë ide, përvoja dhe reflektime. Sepse administrata publike nuk është një makineri. Është një komunitet njerëzish që besojnë te shërbimi, që punojnë çdo ditë me përkushtim, dhe që meritojnë një sistem të përmirësuar që u qëndron krah.
Faleminderit që jeni pjesë e kësaj rruge. Dhe le ta nisim këtë bisedë të hapur dhe të sinqertë me vetveten, siç i ka hije një administrate që kërkon të përmirësohet.
Ju faleminderit!