Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

I Nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të dashur qytetarë,

Buxheti për vitin 2026 është angazhim i drejtpërdrejtë i Qeverisë Shqiptare, por edhe i kësaj mazhorance për të çuar përpara reformat e nisura drejt Shqipërisë 2030.
Buxheti mishëron vizionin e qartë drejt vlerave të familjes evropiane, duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si dhe reformat kyçe në përshpejtimin e procesit të integrimit.
Jo më larg se dy ditë më parë, Shqipëria hapi me sukses 33 kapitujt dhe 3 kriteret e negociatave me BE-në për një periudhë kohe 14-mujore që e bën këtë proces me një shpejtësi të paprecedentë. Po me këtë ritëm ka vijuar gjithashtu reflektimi në buxhet të të gjitha zotimeve që Shqipëria ka ndërmarrë për të arritur me rezultate të matshme anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade.
Ky vizion reflektohet gjithashtu reflektohet në qasjen ndaj reformës në administratën publike, si një nga elementët kyç drejt reformës në anëtarësimin drejt Bashkimit Evropian.
Dhe gjithashtu, reflekton edhe zotimin e kësaj mazhorance për të garantuar kushte më të mira pune për administratën, si dhe një rritje të mirëqenies të familjarëve të gjithë atyre që kontribuojnë çdo ditë në administratën publike shqiptare.
Ne i jemi përmbajtur zotimit për t’u angazhuar për një rritje të pagës bazuar në indeksimin prej 2.5%, por edhe gjithashtu kemi reflektuar në buxhetin e vitit 2026 edhe premtimin e mbajtur për rritjen e pagës minimale nga 400 në 500 Euro, duke marrë parasysh faktin që kjo reflektohet në një rritje të konsiderueshme për një kategori të zgjeruar të punonjësve të administratës publike.
Ky zotim është reflektuar aktualisht në një rritje prej 10 miliardë lekësh që vjen bashkërisht me angazhimet tona për rritjen e buxhetit në infrastrukturë, energji, arsim dhe në mbrojtje sociale paralelisht.
Me projektbuxhetin e vitit 2026, do të ketë tashmë një politikë të përforcuar të pagave që synon të rrisë fuqinë blerëse të punonjësve publikë.
Në fjalë të tjera – indeksimi i pagave të administratës publike që nga Janari 2026 si dhe rritja e pagës minimale me 10.000 lekë të reja – duke e çuar atë në 50.000 lekë të reja – do të përkthehet në një rritje prej 25% për një kategori të konsiderueshme të punonjësve të administratës me paga aktualisht më të ulëta.
Konkretisht:
o 10,600 punonjës shërbimi do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj – me një vlerë në rritje gati 25%;
o Specialistët e administratës publike – niveli më i ulët i punonjësve tanë publikë, do të kenë një rritje prej 5 mijë lekë të reja;
o Mësuesit do të përfitojnë pagë me një rritje prej 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj;
o Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, që do të thotë si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131.700 lekë në 143.500 lekë të reja në muaj.

Natyrisht ka një diferencim për mjekët në spitale:

– Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj;
– Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj.

o Gjithashtu, një rritje të qenësishme do të mundësohet tashmë përmes këtij buxheti – sikurse është premtuar për punonjësit e policisë së shtetit – ku përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj. E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave, pagat rriten si më poshtë:

– Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në muaj në 84.500 lekë të reja në muaj;
– Për komisarët nga 105 mijë në 110.600 lekë;
– për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, në 141.450 lekë të reja, duke përfshirë këtu edhe shtesën që u akordohet për ushqimin.

Gjithashtu, mesatarisht buxheti është një dëshmi e qartë jo vetëm e trendit tashmë të nisur për rritjen graduale të pagave dhe reformës së mirë-llogaritur në administratën publike, por përforcon më tej të gjitha angazhimet tona për të garantuar që kjo rritje t’i përgjigjet të gjitha standardeve aktuale me vendet e tjera me të cilat ne krahasohemi.
Shqipëria dëshmon edhe njëherë që përmes këtij buxheti të ri garanton edhe mbajtjen e vendit në krye të listës për vendet e rajonit për menaxhimin e financave publike – thënë kjo nga SIGMA, organizatë e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe OECD – që parashikon edhe një matje të qëndrueshme të mënyrës si Shqipëria avancon në reformën e administratës publike, me fokus të veçantë menaxhimin e financave publike.
Në total, kjo reformë ka sjellë një rritje mesatare nga 35% deri në 65%, në varësi të kategorive të pagave, dhe e ka çuar pagën mesatare në administratë në rreth 112,000 lekë të reja, përtej atij niveli që ne kishim premtuar më përpara.
Kjo reformë tërësore e sistemit të pagave është shtrirë sikurse e dini, por tashmë është e rëndësishme të theksohet, edhe në të gjithë njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke i barazuar tashmë njëherë e mirë pagat e tyre me ato të klasës përkatëse korresponduese në administratën shtetërore në nivel qendror.
Jemi posaçërisht krenarë që kjo reformë – plotësuar edhe me sistemin e pagave dhe të rritur me buxhetin e vitit 2026 – është vlerësuar dhe vijon të vlerësohet pozitivisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë – jo vetëm për shkak të rritjes nominale të pagave, por edhe sepse shoqërohet me një model të qëndrueshëm karriere, shpërblimesh dhe vlerësimit të vjetërsisë dhe kontributit në punë të çdo funksionari publik.
Hapi i radhës është ruajtja e qëndrueshmërisë së këtij trendi, pikërisht për arsye të cilës politika e pagave e parashikuar në projekt-buxhetin e vitit 2026 reflekton një qasje jo të izoluar, por është ndërtuar për të garantuar indeksim, por edhe balancim të brendshëm të sistemit të pagave, me objektivin e qartë për ta kthyer atë në një standard tashmë afatgjatë.

Të nderuar deputetë,

Është e rëndësishme të themi që e gjithë kjo arkitekturë e sistemit të pagave që propozohet me projektbuxhetin e vitit 2026, zhvillohet në sinkron të plotë me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Këto janë pjesë e një pakete të prioritetit tonë kombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade, ndaj ju ftoj që ta miratojmë atë.