Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, organizuan një tryezë të rrumbullakët me partnerët evropianë, përfaqësues nga institucionet publike, sektori privat dhe shoqëria civile, me qëllim formësimin e projektligjit “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.
Ky projektligj, pjesë e procesit të përafrimit me BE-në, synon të forcojë integritetin dhe llogaridhënien përmes forcimit të mbrojtjes së sinjalizuesëve, në funksion të rritjes së raportimit të praktikave të paligjshme.
Në fjalën e saj, ministrja Pirdeni theksoi se kuadri i ri strategjik 2024–2030 vendos theksin te qasja parandaluese në luftën kundër korrupsionit, duke nënvizuar se sinjalizimi përbën një mekanizëm të rëndësishëm si në parandalimin ashtu edhe në reagimin ndaj shkeljeve. Ajo shtoi se sinjalizimi rrit transparencën, forcon besimin e qytetarëve te institucionet dhe kontribuon në mbrojtjen e tyre.
Ministrja Pirdeni vuri në dukje se ky proces ka qenë i koordinuar dhe gjithëpërfshirës, duke synuar garantimin e standardeve më të larta ligjore dhe zbatimin e praktikave më të avancuara ndërkombëtare.
Gjatë takimit u morën sugjerime, komente dhe mendime nga institucionet publike, sektori privat dhe shoqëria civile, me synimin për të përgatitur një akt ligjor që do të shërbejë si mekanizëm i fuqishëm për forcimin e integritetit dhe rritjen e llogaridhënies.
Projektligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’ synon të krijojë një kornizë të qartë ligjore për mbrojtjen e individëve që raportojnë shkelje të ligjit, duke zgjeruar mbrojtjen, përafruar praktikën me standardet evropiane dhe duke forcuar procedurat për parandalimin e hakmarrjes dhe mbështetjen e sinjalizuesve.
Projektligji i ri “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” sjell një sërë risish të rëndësishme që synojnë forcimin e transparencës, integritetit dhe mbrojtjes së personave që raportojnë shkelje. Ndër ndryshimet më të rëndësishme përfshihen zgjerimi i fushës së veprimit dhe kategorive të personave të mbrojtur, duke garantuar një mbrojtje më gjithëpërfshirëse për sinjalizuesit. Projektligji parashikon gjithashtu ofrimin e ndihmës juridike falas për sinjalizuesit, si një formë mbështetjeje konkrete në procesin e raportimit të shkeljeve.
Një tjetër element i rëndësishëm është zgjerimi i grupit të subjekteve që kanë detyrimin të krijojnë njësi përgjegjëse për sinjalizimin, duke rritur përgjegjshmërinë dhe transparencën institucionale. Terminologjia e përdorur në projektligj është harmonizuar me Direktivën (BE) 2019/1937, për të siguruar përputhje të plotë me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian.
Projektligji forcon më tej mbrojtjen e sinjalizuesve, përmirëson procedurat për trajtimin e sinjalizimeve dhe zgjeron spektrin e shkeljeve që sanksionohen, duke ndërtuar një sistem më efikas dhe të besueshëm. Këto ndryshime synojnë krijimin e një mjedisi të sigurt dhe inkurajues për sinjalizuesit, si dhe promovimin e një kulture të integritetit dhe transparencës në administratën publike dhe sektorin privat.
Projektligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, u mbështet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, përmes projektit EU4GG.