Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në Luksemburg, Shqipëria ka hapur grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian “Tregu i Brendshëm”, në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, ishte pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama.
Në Bruksel, Kryeministri Edi Rama u prit nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, e më pas delegacioni shqiptar udhëtoi drejt Luksemburgut ku mori pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku ishte e pranishme Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos dhe Radosłaë Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Gjatë konferencës për shtyp Kryeministri Rama tha se bashkë me BE-në është rënë dakord për një agjendë mjaft ambicioze.
“Po presim me padurim që të sigurohemi së bashku që brenda 2027 të gjithë grup-kapitujt, jo vetëm të jenë çelur, por edhe të jenë mbyllur. Është vërtetë super ambicioze, por jemi këtu sot për të rikonfirmuar vullnetin tonë të fortë, vendosmërinë tonë dhe pasionin tonë të plotë për të arritur këtë objektiv,” tha Rama.
Komisionerja e BE për Zgjerimin, Znj.Marta Kos u shpreh se do të jetë avokatja më e mirë e Shqipërisë në Bruksel për Shqipërinë teksa dha një mesazh për qytetarët shqiptarë.
“Ne po punojmë me një ritëm shumë ambicioz dhe nëse Shqipëria realizon zbatimin e reformave të nevojshme, unë do të jem avokati juaj më i mirë në Bruksel dhe në të gjitha shtetet anëtare, kështu që mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është padyshim në BE. Nuk ka dyshim për këtë. Sot, ne jemi më pranë arritjes së këtij objektivi se kurrë ndonjëherë dhe komenti i fundit: suksesi juaj ka një ndikim më të gjerë sepse mund t’i tregoni të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor që me punë të madhe dhe me vendosmëri kjo mund të bëhet hap pas hapi,” tha komisionerja Kos.
Ndërsa në emër të BE, Radosław Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE u shpreh se grup-kapitulli i dytë që u hap “Tregu I Brendshëm” është jetik për integrimin ekonomik të Shqipërisë në tregun e brendshëm të BE-së, pasi mbulon fusha kyçe ekonomike. “Reformat e nevojshme do të çojnë në përputhshmëri ekonomike me BE-në, do të rrisin mundësitë tregtare dhe po kështu do ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për investime,” u shpreh ministri Sikorski.
Grupkapitulli i II-të i negociatave përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).