Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministrja Pirdeni në samitin e 5-të Europës juglindore për demokracinë në Bruksel: Lufta kundër korrupsionit, prioritet kombëtar!

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj.Adea Pirdeni ishte e ftuar në samitin e 5-të për Demokraci në Evropën Juglindore organizuar nga International Republican Institute me mbështetjen e National Endowrment for Democracy në Bruksel.

Në fjalën e mbajtur në panelin e organizuar, ministrja Pirdeni vuri theksin tek vazhdimi i reformave solide dhe gjithëpërfshirëse, në drejtim të transformimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike në Shqipëri si dhe avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Rrugëtimi evropian i rajonit drejt Evropës sot kushtëzohet nga reforma drejt transformimit dhe konsolidimit të institucioneve. Këto reforma kërkohen të jenë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, dhe mbi të gjitha, përveç adresimit që vjen nga Brukseli, të përmirësojnë jetën e qytetarëve në rajon, në shtëpitë e tyre. Vetëm reformat radikale mund të sjellin ndryshime radikale. Pikërisht kjo ishte arsyeja kur nisëm reformën më të rëndësishme që është ndërmarrë në drejtësi në 30 vitete fundit. Kjo reformë shënoi një pikë kthese epokale për vendin tonë. Sot nuk flasim më për një reformë në fazat fillestare, por për një sistem që po prodhon rezultate e që gradualisht po i jep fund pandërshkueshmërisë. Në kuadër të kësaj reforme, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve strategjikë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ne krijuam dhe implementuam procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Vettingu është instrumenti më i guximshëm, më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës kundër korrupsionit që është aplikuar ndonjëherë, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Por mbi të gjitha, ky instrument faktoi se ishte i nevojshëm dhe shumë i dobishëm. Numri i gjyqtarëve të cilët u hoqën nga sistemi janë prova e gjallë e një sistemi të drejtësisë që nuk mund të shërbente drejtësi siç duhej pasi ishte kapur nga korrupsioni. Jemi veçanërisht krenarë që në Shqipëri, në sytë e publikut po krijohet një reputacion i ri për institucionet e sistemit të drejtësisë.

Rritja e konsiderueshme e shqyrtimit të cështjeve në luftën kundër korrupsionit nga organet speciale të sistemit të drejtësisë është dëshmi se frytet e reformës janë të shëndetshme.

SPAK ka forcuar vazhdimisht luftën kundër korrupsionit, duke e çuar atë në një nivel tjetër dhe duke i dhënë fund pandërshkueshmërisë.

Por, sigurisht, pavarësisht pritshmërive të larta për rezultate të shpejta, mbetet jetike që institucionet e reja të specializuara në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar të ushtrojnë funksionet e tyre larg çdo forme presioni apo ndikimi.

Cilësia duhet të mbizotërojë mbi sasinë, dhe ajo që duhet të mbizotërojë mbi të gjitha janë standardet e një procesi gjyqësor të drejtë.

Vetëm në këtë mënyrë lufta kundër korrupsionit do të jetë me të vërtetë efektive, dhe perceptimi i përgjegjësisë dhe transparencës në sistemin gjyqësor do të rritet ndjeshëm.

Edhe pse jemi modestisht krenarë për atë që kemi arritur, nuk jemi aq naivë të themi që kemi fituar apo jemi duke fituar tashmë luftën kundër korrupsionit.

Vizioni i administratës që ndërton mure kundër korrupsionit ditë pas dite, dhe ngushton më tej hendekun ligjor dhe institucional që lënë hapësirë për korrupsion, bazohet në besimin se vetëm përmes modernizimit dhe adoptimit të modeleve inovative të qeverisjes së mirë në të gjithë proceset proceduriale, mund të injektojmë me efektivitet integritetin dhe transparencën në qeverisjen tonë.

Deri më tani, kemi parë ndikimin e jashtëzakonshëm që ka pasur digjitalizimi në eliminimin e korrupsionit të vogël, duke shmangur kontaktin njerëzor në 95% të shërbimeve ndërkohë që ne flasim sot.

Duke u mbështetur tek suksesi i zhvillimeve digjitale në 3 vitet e fundit në Shqipëri, Qeveria Shqiptare mbetet plotësisht e përkushtuar për të vijuar transformimin e administratës, duke vendosur inovacionin në zemër të kësaj transformimi. Në të njëjtën linjë, teknologjia mbetet një mjet i fuqishëm dhe i domosdoshëm për monitorimin dhe gjurmimin e performancës së proceseve të punës,” tha gjatë fjalës ministrja Pirdeni.

Në Bruksel liderë, zyrtarë të nivelit të lartë, qeveritarë, kryetarë bashkish, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe gazetarë nga SHBA, BE, Ballkani Perëndimor dhe Ukraina u bënë bashkë këtë vit në samitin e pestë vjetor të Evropës juglindore për demokracinë në Bruksel ku diskutuan mbi parimet demokratike, antikorrupsionin dhe integrimin, prioritete të cilat janë në fokus të agjendës së IRI.