Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni ishte pjesë e delegacionit kryesuar nga Kryeministri Edi Rama në Paris me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Përgjatë kësaj vizite të konsideruar historike, delegacioni shqiptar nënshkroi marrëveshje me rëndësi në përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në Paris u nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare që do të kontribuojnë në zbatimin e projekteve prioritare në Shqipëri, përfshirë fushën e praktikave më të mira për zhvillimin e kapitalit njerëzor në administratën publike.

Marrëveshja Ndërqeveritare e nivelit të lartë hedh bazat për bashkëpunimin në projekte strategjike mbi turizmin, menaxhimin e ujit, mjedisin e mbetjet, inovacionin, dixhitalizimin, energjinë, infrastrukturën e transportin, arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë, nisma që do të realizohen në nivel dypalësh, si edhe nga sipërmarrjet më të mirënjohura franceze, falë edhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të shtetit francez.

Qeveria shqiptare dhe francezë shprehën gjithashtu angazhimin e tyre për luftën kundër korrupsionit në transaksionet ndërkombëtare në respektim të standardeve të përcaktuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).