Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

463 të rinj kanë nisur praktikën e punës pranë administratës publike, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të tjera të pavarura.

Në Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes për praktikantët e “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës”, program tashmë i konsoliduar dhe në vitin e tij të nëntë, i cili i siguron mundësinë të rinjve pjesëmarrës të përfshihen në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të tyre në praktikë.

Në fjalën e saj, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin i cilësoi të rinjtë si shtyllë themeli të administratës teksa njoftoi se së shpejti do të hapet thirrja për Programin e Ekselencës.

“Do të lançojmë shumë shpejtë programin e ri të Ekselencës, i cili do të synojë të risjellë në gjithë zyrat tona frymën e re e të rinjtë që duan të bëhen pjesë e këtij procesi. Një thirrje e kam për kolegët e administratës, që ju mirëpresin në zyra, për t’ju krijuar hapësira sa më mundësuese që ju të zhvilloheni dita ditës dhe ta shikoni të ardhmen tuaj, karrierën tuaj në administratën publike,” – tha ministrja Pirdeni.

Ministrja u shpreh e bindur se sistemi i ri i vlerësimit të performancës personale dhe institucionale, i cili është pilotuar këtë vit, do të sjellë përfitime të dukshme dhe do të ndihmojë në transformimin e administratës publike, me një fokus të veçantë në inovacion dhe meritokraci.

Në tre vitet e fundit, mbi 515 praktikantë, pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës janë punësuar pranë institucioneve pritëse.

Për nëntë vite, PKPP ka lehtësuar kalimin e të rinjve nga universiteti në tregun e punës, duke i pajisur ata me njohur të thelluara dhe përvojë praktike në administratë.

Të pranishëm në aktivitet ishin gjithashtu Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama si dhe Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Znj. Bora Muzhaqi, përfaqësues nga institucionet qendrore e lokale, partnerë ndërkombëtarë etj.