Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Lidershipi i Evropës Juglindore për Integritet dhe Zhvillim (SELDI) organizoi në Tiranë formumin rajonal mbi Qeverisjen e Mirë dhe Politikat Antikorrupsion.

Tematika e forumit rajonal ishte: Kundër Korrupsionit dhe kapjes së shtetit, avancimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

E ftuar në forum, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni vendosi theksin tek Strategjia e re Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, e cila do të udhëheqë të gjithë punën e përbashkët të institucioneve në forcimin e mureve mbrojtës ndaj korrupsionit.

Kjo strategji, tha ministrja Pirdeni ka në fokus të veçantë sektorët vulnerabël ndaj korrupsionit, përfshirë pronat, shëndetësinë, tatimet, doganat, dhe arsimin.

Për herë të pare, strategjia shtrihet dhe zbatohet dhe ndaj institucioneve të qeverisjes vendore dhe ka në fokus gjithashtu promovimin e integritetit në sektorin privat. Krahas, vëmendjes së shtuar të edukimit me etikën dhe integritetin me të gjithë zyrtarët publik, kjo strategji synon rishikimin e të gjithë kurrikulës së arsimit parauniversitar me qëllim, edukimin me kulturën e integritetin që në moshë të hershme tek fëmijët dhe të rinjtë.

Përmes konsultimit publik të Strategjisë, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka mundur të mbledhë këndvështrime nga të gjitha grupet shoqërore, për të patur një vlerësim 360 gradë të të gjitha problematikave që duhen adresuar sa më shpejt.

Lidershipi i Evropës Juglindore për Integritet dhe Zhvillim (SELDI) është një iniciativë, që synon të tërheqë dhe të përfshijë vazhdimisht OJF-të, politikëbërësit, dhe palë të tjera të interesuara, të cilët ndajnë përvojën dhe të mbështesin masat antikorrupsion në rajon.
Qëllimi i iniciativës rajonale është të kontribuojë për një shoqëri civile dinamike në rajon, të aftë për të marrë pjesë në debate publike dhe për të ndikuar në politika dhe në procesin e vendimmarrjes në fushën e antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes.