Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, ishte pjesë e delegacionit të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama në Komisionin Evropian në Bruksel.

Ministrja Pirdeni mori pjesë në takimin ku ishte i pranishëm Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, z. Oliver Ropke, ku u diskutua iniciativa e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian për të sjellë më afër shoqëritë civile nga të dyja palët, me qëllim përshpejtimin e mundësive që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Brukseli do të ngrejë një Komitet të Përbashkët Konsultativ, i cili do të monitorojë dhe japë këshilla për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve kandidate për Bashkimin Evropian.

Gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Komisionin Evropian, Kryeministri Edi Rama tha se synohet fuqizimi i bashkëpunimit me BE-në dhe integrimi në union. Sipas tij, është i domosdoshëm konsultimi me organizatat e shoqërisë civile për integrimin në BE.
Komiteti i Përbashkët Konsultativ do të jetë në varësi të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian dhe do të financohet nga BE. Pjesë e kësaj nisme do të jenë edhe organizatat e shoqërisë civile.

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama tha gjatë konferencës për shtyp se po avokojnë që Shqipëria të ketë një ekip në Parlamentin Europian, edhe pse pa të drejtë vote.